I ftuar në emisionin “Ndryshe” me Salsano Rrapin dhe Elona Duron në Top Albania Radio ka qenë Kastro Zizo. Artisti i njohur ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me karrierën e tij, projektet e reja që ai do të sjellë dhe gjithashtu është ndalur te jeta personale, konkretisht tek vajza e tij.

Në fillim Kastro zbuloi se tashmë ai jeton me të tre fëmijët e tij në Tiranë së bashku.

Vajza në fakt nuk është nëse mund ta quaj si të gjithë fëmijët e tjerë, siç thuhet termi normal. Siç është terminologjia e përcaktuar e normalitetit në një qenie njerëzore. Fakti që është pak në spektrin autik dhe le të themi që vjen edhe si pasojë e një historiku të gjatë jo fort të mirë, pak të errët në fakt edhe nga vendi ku ka jetuar te nëna e saj, etj. 

Unë kam bërë mirë, por në të njëjtën kohë jam edhe në një proces ligjor. Jam një njeri shumë i drejtë më ka karakterizuar drejtësia dhe mendoj se tani që jam 41 dhe deri sa të kem frymë unë do të luftoj për të drejtën. Jam fan i të drejtës. Unë dua që në një histori çfarëdo të ketë një përgjegjës mbi çfarë bën.

Ai shtoi se:

Sot një fjalë e thënë shkakton trazira të mëdha, jo më moskujdesi për qenien, për atë që ke pjellë. Mendoj se do ketë kohë që të vendoset. Vajza është 13 vjeç. Mia, është shumë e mirë, prandaj thashë që mund të flas me orë për të. Megjithatë nuk është shumë e lehtë që në një moment të jetës pas 10 vjetësh që nuk të është lejuar të shohësh fëmijën tënd. Përveç emocionit që unë kisha pas 10 viteve praktikisht që nuk kisha parë fëmijën tim, zbuloj që fëmija im ishte në atë që është. Mua më është ndërprerë çdo kontakt, jo tamam me procese ligjore por influenca e njerëzve ka qenë e tillë.

Mesa duket kanë menduar që nuk isha i denjë, por në të njëjtën kohë kanë tentuar të rrisnin jo një qenie njerëzore në botëkuptimin e tyre. Nuk e dinë se si është të rrisësh një fëmijë. Nuk kanë ditur, është një situatë pak delikate që unë po i jap kohë. Vajzat tani jeton me mua, është marrë nga në mes të qershorit, në kushte pothuajse të tmerrshme.