Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në familjen e ndihmëstrajnerit të Kansas City Chiefs, Eric Bieniemy.
Mediat e huaja shkruajnë se bashkëshortja e tij, Mia Bieniemy është qëlluar me armë zjarri në shtëpinë e familjes në Virgina. I dyshuari i parë është djali i tyre, i cili ka përfunduar në prangat e policisë.
Sipas policisë së kontesë Loudoun, 57-vjeçarja u plagos rëndë nga disa të shtëna dhe u dërgua në spital, ku ndodhet në gjendje stabël.
27-vjeçari Elijah Zion Bieniemy është arrestuar dhe akuzohet për plagosje të rëndë, përdorim të armës gjatë një krimi dhe për shkrepje me armë brenda një banese.
Burime për ESPN kanë bërë të ditur se Mia Bieniemy është qëlluar në kraharor dhe në krah.
Pas lajmit për incidentin, Eric Bieniemy u largua nga kampi stërvitor i Kansas City Chiefs dhe nuk mori pjesë në stërvitjen e së hënës.
Trajneri i Chiefs, Andy Reid, shprehu mbështetjen e tij për Bieniemy dhe familjen e tij.
“Zemrat tona janë me Eric Bieniemy. Mia është në gjendje të qëndrueshme, dhe kjo është një gjë pozitive. Të gjithë e duam EB dhe është e dhimbshme të shohësh gjëra të tilla të ndodhin”, tha Reid.
Ai bëri të ditur se nuk dihet ende se kur Bieniemy do të rikthehet te skuadra, ndërsa detyrat e tij do të mbulohen përkohësisht nga pjesëtarë të tjerë të stafit.
“Kjo është jeta reale. Gjëja më e rëndësishme është që Eric të kalojë kohë me familjen dhe të kujdeset për këtë situatë”, shtoi Reid.
Sipas autoriteteve, policia mbërriti në banesën e familjes në Ashburn, Virginia, të dielën në mbrëmje pas një telefonate për të shtëna me armë.
Elijah Bieniemy mbahet aktualisht në paraburgim pa mundësi lirimi me kusht, ndërsa hetimet për ngjarjen vazhdojnë.
Eric Bieniemy është një nga trajnerët më të njohur në futbollin amerikan. Ai ka qenë pjesë e stafit të Kansas City Chiefs për shumë vite dhe ka ndihmuar ekipin të fitojë dy tituj Super Bowl.
Ai më pas ka punuar edhe me skuadra të tjera në NFL dhe u rikthye te Chiefs këtë vit.




