Një tjetër humbje e rëndë ka tronditur botën e rrjeteve sociale, pasi YouTuberja japoneze e njohur si Zepa ka ndërruar jetë papritur në moshën 26-vjeçare. Lajmi u konfirmua përmes një njoftimi në rrjetet sociale më 6 prill, ku u bë e ditur se ceremonia mortore u zhvillua në rreth të ngushtë familjar. Shkaku i vdekjes nuk është bërë publik.

Zepa kishte ndërtuar një komunitet të madh me rreth 1.4 milion ndjekës, ku publikonte video mbi modën japoneze dhe transmetime live. Ajo ishte e njohur për stilin e saj unik dhe përmbajtjen kreative që e bëri të dashur për publikun. Në videot e saj, ajo kishte folur hapur edhe për sfidat personale, përfshirë problemet me alkoolin dhe vështirësitë emocionale, duke krijuar një lidhje të fortë me ndjekësit.

Pas publikimit të lajmit, rrjetet sociale u mbushën me mesazhe dhimbjeje dhe ngushëllimi. Fansat e përshkruan atë si të talentuar, të bukur dhe një person që sillte buzëqeshje edhe në ditët më të vështira.