Një tragjedi e rëndë ka tronditur botën e sportit amerikan, pasi ish-piloti i NASCAR Greg Biffle ka humbur jetën së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij në një aksident ajror fatal. Avioni privat me të cilin po udhëtonte familja u rrëzua dhe u përfshi nga flakët gjatë një tentative për t’u ulur në aeroportin rajonal të Statesville, në Karolinën e Veriut.
Në bord ndodheshin gjashtë persona dhe asnjëri nuk arriti të mbijetojë. Mes viktimave janë identifikuar Greg Biffle, 55 vjeç, bashkëshortja e tij Cristina Grossu Biffle, vajza 14-vjeçare Emma dhe djali 5-vjeçar Ryder. Dy viktimat e tjera nuk janë identifikuar ende publikisht.
Lajmi është konfirmuar fillimisht nga miku i familjes dhe personalitet i njohur i motorsportit dhe YouTube, Cleetus McFarland, i cili bëri të ditur se familja Biffle ishte nisur për ta vizituar atë. Avioni tip Cessna C550 ishte nisur drejt Floridës, por pak minuta pas ngritjes kishte kryer manovra të çrregullta dhe ishte kthyer për t’u ulur, përpara se të përplasej rreth orës 10:15 të mëngjesit. Dëshmitarë okularë kanë deklaruar se avioni fluturonte shumë ulët pak çaste para rrëzimit.
Autoritetet federale amerikane, përfshirë Administratën Federale të Aviacionit dhe Bordin Kombëtar të Sigurisë së Transportit, kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Avioni rezulton i regjistruar në emër të një kompanie të lidhur me vetë Biffle dhe ishte ndërtuar në vitin 1981.
Greg Biffle ishte një nga figurat më të njohura të NASCAR, fitues i dy titujve kombëtarë dhe pjesë e listës së 75 pilotëve më të mëdhenj në historinë e këtij sporti. Përveç karrierës sportive, ai ishte aktiv edhe në misione humanitare ajrore, duke ndihmuar zonat e goditura nga fatkeqësi natyrore në Karolinën e Veriut.




