Një ngjarje e rëndë ka tronditur botën e sportit në Spanjë, ku basketbollisti 22-vjeçar Nicolas Ramirez Perez humbi jetën pasi u godit nga një tren me shpejtësi të lartë, teksa ishte rrugës për në stërvitje me ekipin e tij. Incidenti ndodhi në një stacion rural pranë qytetit të Zaragozës, në zonën e Casetas, ku i riu kishte zbritur nga një tren tjetër për të vazhduar më pas drejt palestrës.

Perez u transportua në gjendje kritike në spital, por fatkeqësisht u shpall i vdekur pak pas mbërritjes. Treni që e përplasi kishte më shumë se 100 pasagjerë në bord dhe nuk ishte parashikuar të ndalonte në atë stacion.

Klubi i tij, CB Octavus de Utebo, njoftoi pezullimin e të gjitha ndeshjeve të kampionatit për fundjavën, si dhe anulimin e shumicës së seancave stërvitore, në shenjë zie. Në reagimin zyrtar, klubi shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e sportistit dhe solidaritetin me familjen dhe miqtë e tij, duke theksuar se Nicolas do të mbetet gjithmonë pjesë e familjes së klubit. Federata Rajonale e Basketbollit të Aragonës gjithashtu shprehu ngushëllimet e saj, duke theksuar se i riu kishte pesë vite që luante me ekipin e tij dhe ishte një figurë e dashur për shokët dhe komunitetin sportiv.

Sipas të dhënave paraprake, basketbollisti po kalonte shinat në zonën rurale të stacionit kur u përplas nga treni.