Një ngjarje e rëndë ka tronditur Holandën, ku një vajzë 15-vjeçare dyshohet se ka vrarë me thikë nënën dhe babanë e saj në banesën familjare në Meerstad, pranë Groningenit. Sipas mediave ndërkombëtare, adoleshentja është arrestuar nga autoritetet pasi prindërit e saj, të dy 53 vjeç, u gjetën të pajetë brenda shtëpisë.

Raportimet bëjnë me dije se pas krimit, e mitura dyshohet se ka shpërndarë përmes WhatsApp fotografi nga vendngjarja te disa bashkëmoshatarë. Gjatë sulmit është plagosur edhe qeni i familjes, një golden retriever, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos publikojnë imazhet e ngjarjes dhe t’i raportojnë ato te autoritetet.

Ndërkohë, motivet mbeten ende të paqarta. Hetuesit po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të rastit, ndërsa mediat vendase raportojnë se adoleshentja kishte munguar shpesh në shkollë dhe kishte shfaqur sjellje, që kishin tërhequr vëmendjen e mësuesve dhe shokëve të saj.

“Shpesh sillej në mënyrë të pazakontë dhe imitonte sjelljen e një qeni. Në korridoret e shkollës ecte në katër këmbë, lehte dhe mbante aksesorë që i ngjanin atyre të kafshëve. Disa nxënës e njihnin për këtë sjellje dhe thonë se ajo kërkonte të identifikohej ndryshe nga bashkëmoshatarët e saj”, kanë deklaruar disa shokë klase për mediat lokale.

Familjarët e viktimave janë shprehur të tronditur nga ngjarja, duke thënë se nuk arrijnë të kuptojnë arsyet që çuan në vrasjen e çiftit.