Presidenti amerikan Donald Trump ka komentuar rikthimin e princit Harry dhe Meghan Markle në Mbretërinë e Bashkuar, duke u shprehur se është i kënaqur që çifti po largohet nga Shtetet e Bashkuara.

Gjatë një bisede me gazetarët në Zyrën Ovale, Trump u pyet drejtpërdrejt për rikthimin e Dukës dhe Dukeshës së Sussex-it në Britani. Përgjigjja e tij ishte e qartë.

“Jam i kënaqur për këtë”, tha Trump, duke shtuar: “Nuk kam qenë fans i tyre”.

Madje, presidenti amerikan deklaroi se, po të ishte në dorë të tij, Harry dhe Meghan nuk do të ishin të mirëpritur në Britani.

“Unë nuk do t’i pranoja përsëri. Po të isha në vendin e familjes mbretërore, nuk do ta pranoja përsëri atë”, u shpreh Trump, duke iu referuar princit Harry.

Kritikat e Trump u përqendruan veçanërisht te Meghan Markle dhe mënyra se si, sipas tij, ajo është sjellë ndaj familjes mbretërore, përfshirë mbretëreshën e ndjerë Elizabeth II dhe mbretin Charles III.

“Mendoj se ata u sollën me shumë mungesë respekti ndaj familjes mbretërore. Kjo nuk më pëlqeu. Nuk më pëlqeu sjellja e saj”, deklaroi Trump.

“Mendoj se ajo ishte jashtëzakonisht e pandjeshme ndaj mbretëreshës dhe mbretit Charles”, shtoi ai.

Komentet e presidentit amerikan vijnë pak ditë pasi Harry dhe Meghan u rikthyen zyrtarisht në Mbretërinë e Bashkuar, duke i dhënë fund qëndrimit të tyre gjashtëvjeçar në SHBA.

Çifti u zhvendos në Shtetet e Bashkuara në vitin 2020, pasi u tërhoq nga detyrat e tyre si anëtarë aktivë të familjes mbretërore britanike.

Trump ka pasur prej vitesh një marrëdhënie të afërt me monarkinë britanike. Mbretëresha Elizabeth II e priti atë në një vizitë zyrtare shtetërore gjatë mandatit të tij të parë presidencial, ndërsa të njëjtën nder ia bëri edhe mbreti Charles gjatë mandatit të dytë.

Kështu, Trump u bë presidenti i parë amerikan që është pritur dy herë në një vizitë zyrtare shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar.

Në prill të këtij viti, ai ia ktheu vizitën, duke pritur në Shtëpinë e Bardhë mbretin Charles dhe mbretëreshën Camilla.