Në qendrën historike të Napolit, një turist kërkon kokainë, por në vend të saj i japin një qese me kripë kuzhine. Shitësi i drogës denoncohet për mashtrim. Një 36-vjeçar nga Napoli është denoncuar për mashtrim, pasi i shiti një turisti gjerman kripë kuzhine në vend të kokainës, për 40 euro.

I riu u kap nga karabinierët teksa “shiste drogë”, nëse mund të quhet kështu, në rrugë, në zonën e sheshit Bellini, në zemër të jetës së natës në qendrën historike të Napolit. Me të njëjtën shumë, turisti mund të kishte blerë më shumë se 50 kilogramë kripë të imët.36-vjeçari ra në rrjetën e kontrolleve të karabinierëve, të cilët po zhvillonin një aksion kundër shitjes së lëndëve narkotike në qendrën historike të Napolit, veçanërisht në zonat e frekuentuara nga jeta e natës, ku lëvizin si banorët vendas, ashtu edhe turistët e shumtë.

Aksioni i karabinierëve të Napolit Qendër u zhvillua në orët e vona të natës. Efektivët patrullonin rrugët me rroba civile, për të mos ngjallur dyshime. Mes shumë njerëzve që ndodheshin në rrugë, vëmendjen e tyre e tërhoqi një 36-vjeçar, i cili sapo i kishte dorëzuar një turisti gjerman një qese me pluhur të bardhë.I riu futi në xhep paratë dhe vazhdoi të vështronte përreth me kujdes, duke u treguar i dyshimtë.Në atë moment, efektivët iu afruan turistit dhe analizuan përmbajtjen e qeses. Testi për identifikimin e lëndëve narkotike tregoi se substanca e shitur si kokainë ishte në të vërtetë klorur natriumi, pra kripë e zakonshme kuzhine, e përdorur për t’u dhënë shije ushqimeve dhe për ruajtjen e tyre.

Në raftet e supermarketeve, kjo kripë mund të gjendet edhe me çmimin 50 cent për kilogram.Në këtë rast, “doza” e kripës i kushtoi turistit gjerman 40 euro, një çmim dukshëm i tepruar. Sipas përllogaritjeve të hetuesve, me të njëjtën shumë ai mund të kishte blerë rreth 50 kilogramë kripë.

Pas zbulimit të mashtrimit, ndaj 36-vjeçarit u bë kallëzim për veprën penale të mashtrimit. Gjatë të njëjtit operacion, katër persona të tjerë që kishin konsumuar lëndë narkotike u ndëshkuan me gjoba. Gjithashtu, u vendosën masa administrative për shkelje të Kodit Rrugor dhe u kryen kontrolle në disa subjekte tregtare, katër prej të cilave u gjobitën.