Një turist britanik që po kalonte pushimet në një hotel në Kretë është ankuar pasi u pickua nga mushkonjat dhe kërkoi kompensim, duke pretenduar se përvoja kishte ndikuar rëndë në gjendjen e tij psikologjike dhe i kishte shkatërruar pushimet. Incidenti ndodhi rreth një muaj më parë në Hania dhe u trajtua nga këshilltari i deleguar i Rajonit të Kretës, Kyriakos Kotsoglou, i cili ka treguar edhe detaje nga ngjarja.

Pas incidentit, britaniku u largua menjëherë nga hoteli dhe i dërgoi një fotografi hotelit, ku shihej këmba e tij e mbuluar nga pickimet e mushkonjave. Në vijim, ai kërkoi që të merrej në konsideratë “një rimbursim i mundshëm, i pjesshëm ose i plotë, i parave që kishte paguar për qëndrimin në hotel”. Turisti kërkoi gjithashtu që dhoma dhe dysheku ku kishte fjetur të kontrolloheshin nga një kompani e certifikuar shëndetësore, ndërsa rezultatet e kontrollit t’i dërgoheshin atij.

“Në këto raste, ne nuk e injorojmë kurrë kërkesën e mysafirit. Përkundrazi, e shqyrtojmë dhe i përgjigjemi menjëherë, me mirësjellje, pavarësisht nëse ai ka të drejtë apo jo. Çështja është të shmangim një zhvillim negativ që mund të dëmtojë imazhin e vendit dhe që mysafiri të ndiejë se e keni dëgjuar dhe respektuar”, tha Kotsoglou për mediat greke. Sipas tij, pas marrjes së garancive me shkrim nga kompania se në dhomën ku kishte qëndruar turisti nuk ishte konstatuar asgjë e dyshimtë, si dhe pas përgjigjes së drejtorit menaxhues, britaniku e konsideroi çështjen të mbyllur. Madje, pavarësisht incidentit, ai deklaroi se do të rikthehet për pushime në Kretë vitin e ardhshëm.