Nutricionistja e njohur, Diola Dosti, ka qenë së fundmi e ftuar në emisionin “Live From Tirana”. Nëpërmjet një lidhje telefonike, ajo ka dhënë këshillat e saj për të qëndruar të shëndetshëm tani që po afron dhe periudha e verës.

Diola gjithashtu na tregon edhe nga çfarë duhet të kemi kujdes…

Pjesë nga biseda:

Si të ndihemi më mirë këtë verë dhe të jemi më të shëndetshëm?

Ekzistojnë shumë teknika, por unë ngelem tek ajo më tradicionalja, tek ajo lloj diete apo regjimi ushqimor që është i mbrojtur edhe nga UNESCO, që ne na përshtatet shumë mirë, që është dieta mesdhetare. Unë jam te konsumi i atyre ushqimeve që kanë dhe ato acidet yndyrore por që janë të shëndetshme, që kanë djathin, mishin dhe peshkun. Pra kryesisht ushqime që ne i përqafojmë shumë mirë, lidhur dhe me gjeografinë tonë dhe mënyrën si ne jemi rritur, ushqime që i kanë ngrënë ndoshta edhe nënat tona para shumë vitesh dhe ne mund t’i absorbojmë më mirë, t’i sintetizojmë më mirë dhe për të na ndikuar më pozitivisht në trupin tonë.

A mendon se ndikojnë më shumë teknikat tradicionale apo ato të rejat?

Unë bazën e kam tek ajo tradicionalja. Nëse njerëzit thonë që nuk hanë turshitë, turshitë janë një mënyrë shumë e mirë për t’u dobësuar, për të humbur peshë në mënyrë të shëndetshme dhe kjo lidhet me prezencën e probiotikëve. Probiotikët dhe ato bakteret e mira, janë pikërisht fusha më e re e studimit në dietologji dhe nutricion, që është pjesa e mikrobiomës. Pra, miksi i baktereve që ne i kemi në aparatin tretës, që kanë një rol të rëndësishëm.

Probiotikët tani i marrin dhe me pilula…

Ka një problem, edhe marrja e probiotikëve në formë të tillë, duhet bërë kujdes. Nuk duhen marrë më shumë seç duhet sepse mund të krijojnë myk në trup, e para. E dyta, nuk duhen marrë pa prebiotikët, sepse prebiotikët janë bakteret e mira. Dhe këto baktere të mira, duan ushqim që të qëndrojnë të mira. Ushqimi i baktereve të mira janë prebiotikët dhe duhen marrë bashkë me probiotikë, pra kombinim që kanë edhe probiotikë edhe prebiotikë bashkë, ose duhet të hamë qepën e njomë, farat chia, që kanë prebiotikë natyralë. Pra, duhet bërë kujdes edhe në përzgjedhjen e suplementëve, sepse tani nuk ka ngelur më njeri pa sugjeruar suplemente, shkojnë në farmaci e marrin lloj-lloj gjërash, kështu që duhet pasur një kujdes të shtuar. /TAR/