Bota e fitnesit dhe bodybuildingut në Brazil janë tronditur nga vdekja e Arlindo de Souza, i njohur gjerësisht me nofkën Popeye Brazilian, i cili ndërroi jetë në moshën 55-vjeçare pas problemeve serioze shëndetësore. De Souza u bë figurë e famshme në televizionet braziliane dhe në rrjetet sociale falë pamjes së tij ekstreme fizike, veçanërisht për krahët gjigantë. Ai kishte pranuar publikisht se kishte përdorur injeksione me përzierje vajrash minerale dhe alkooli.
Sipas familjarëve, bodybuilderi u shtrua në spital gjatë periudhës së Krishtlindjeve për shkak të problemeve me veshkat. Njëra prej tyre kishte dështuar, ndërsa gjendja e tij u përkeqësua me komplikacione të shumta, përfshirë grumbullim të lëngjeve në mushkëri dhe arrest kardiak. Ai nuk arriti të kryente as trajtimin e dializës.
Mjekët e kishin paralajmëruar prej vitesh për pasojat e rënda të injeksioneve të tilla, që mund të çonin në infeksione serioze, amputime apo edhe vdekje. Vetë de Souza kishte rrëfyer më herët se kishte humbur një mik të ngushtë për shkak të së njëjtës praktikë dhe kishte bërë thirrje që askush të mos ndiqte këtë rrugë të rrezikshme.
Pavarësisht pamjes së jashtme, ai kishte pranuar se këto injeksione nuk i kishin rritur forcën fizike, por vetëm volumin e muskujve, duke theksuar se rreziku ishte shumë më i madh se çdo përfitim i dukshëm.




