E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Dea Vieri, për një rrëfim të patreguar më parë. Dea ka ndarë detaje nga një problem i saj shëndetësor, si po e menaxhon tani, por dhe shumë të pathëna të tjera…

Dea ka treguar disa imazhe të saj me akne në fytyrë, për të cilat ka rrëfyer se ka vuajtur shumë dhe ka pasur një periudhë shumë të vështirë me lëkurën e saj.

“Unë kam qenë një vajzë që gjatë adoleshencës sime nuk kam pasur probleme me aknet. Deri në moshën 26-vjeçare që kam qenë në momentin që është bërë ajo foto para dy vitesh, unë nuk kisha kurrë akne, isha e qetë nga ajo anë. Dhe pastaj një ditë filluan duke dalë një nga një dhe çështja u bë shumë alarmante për mua. Kjo është një nga momentet e rralla që unë jam pa make-up, sepse nuk kam shumë foto nga ajo periudhë, se zgjohesha në mëngjes dhe i mbuloja dhe përdorja jashtëzakonisht shumë make-up.

Në rrjete sociale isha gjatë gjithë kohës me shumë filtra, ‘smooth’ deri në fund, sepse e kisha shumë kompleks me veten time. Por këto më vinin nga çrregullimi hormonal që kisha për shkak të cisteve dhe fillova t’i trajtoja. Kjo foto është bërë në fund të shtatorit, kur unë merrja një mjekim nga goja, që është një mjekim shumë i fortë me shumë efekte anësore. Fillova të shkoja tek mjekët, bëja analiza pa fund që ta kuptonin se pse po më ndodh ky irritimi i fytyrës papritur.

Pastaj vendosja që të merrja një mjekim që ka shumë efekte anësore, nga ana emocionale, deri në depresion që është e fundit, plus të jep probleme në mëlçi më vonë. Por kur fytyra arrin atë fazën e fundit fare, që tek unë e kishte arritur, aknet cistike ishin shumë të mëdha, duhej me patjetër që të merrja një mjekim nga goja. Por e kam vuajtur shumë këtë periudhë, nuk doja ta shikoja veten në pasqyrë.

Trajtimi nga goja zgjati një vit dhe pastaj më duhej të kuroja shenjat që të mbeten nga aknet gati dy vite. Edhe sot vazhdoj që të bëj trajtime gjithë kohës. Nuk dilja, kishte raste që më ftonin për të dalë dhe i thoja ‘jo, se nuk ndihem mirë’. I thoja që kam nevojë për një orë që të bëhem gati, sepse duhet të mbuloj problemet që unë kam me fytyrën”, tha Dea Vieri. /TAR/