Në Tennessee janë shtuar thirrjet për shtyrjen e ekzekutimit të Christa Pike, i planifikuar për 30 shtator. Nëse ekzekutimi kryhet, Pike do të bëhet gruaja e parë e ekzekutuar në këtë shtet amerikan pas më shumë se 200 vjetësh. Pike u dënua me vdekje për vrasjen e Colleen Slemmer në vitin 1995. Në atë kohë, ajo ishte 18 vjeçe dhe u bë gruaja më e re e dënuar me vdekje në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Sipas dosjes së çështjes, Pike dhe dy bashkëpunëtorë e joshën Slemmerin në një zonë pyjore në Knoxville, ku ajo u rrah dhe u godit me thikë. Avokatët e Pike i kanë kërkuar guvernatorit të Tennessee, Bill Lee, që t’ia zëvendësojë dënimin me vdekje me një dënim tjetër. Në kërkesën e tyre, ata kanë paraqitur historinë e abuzimit seksual dhe dhunës që Pike, sipas tyre, kishte përjetuar që nga fëmijëria, si dhe problemet e rënda psikologjike të lidhura me këto trauma.


