Ege Karaaslan ishte dënuar pas një aksidenti fatal në Turqi. Ajo u gjet e vdekur në banesën ku po qëndronte për pushime në Mal të Zi, ndërsa shkaku i vdekjes mbetet i paqartë. Një 26-vjeçare turke, e dënuar më herët për një aksident rrugor me pasojë vdekjen e një motoristi, është gjetur e pajetë në një banesë pushimi në Mal të Zi.

Ege Karaaslan ishte përfshirë më 11 tetor 2024 në një aksident në Manisa të Turqisë, pasi kishte kaluar me semafor të kuq dhe ishte përplasur me motorin e 27-vjeçarit Hasan Emre, i cili humbi jetën në vendngjarje.

Karaaslan u arrestua dhe fillimisht u dënua me 4 vite e 3 muaj burg. Pas ankimit të familjes së viktimës, dënimi u rrit në 5 vite, por më 18 mars gjykata vendosi lirimin e saj duke marrë parasysh kohën e kaluar në paraburgim.

Familja e Hasan Emre kundërshtoi vendimin dhe çështja vijonte ende në gjykatë pa një vendim përfundimtar. Në fillim të shtatorit, Karaaslan kishte udhëtuar në Mal të Zi për të vizituar një mik. Më 13 shtator ajo u gjet pa shenja jete në banesën ku po qëndronte. Autoritetet nuk kanë përcaktuar ende shkakun e vdekjes. Trupi i saj pritet të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Izmir për autopsi dhe më pas të varroset në Balıkesir.