Një 24-vjeçare u shpall fajtore nga gjykata pasi përdorte rrjetet sociale për të kontaktuar burra dhe për t’u dërguar fotografi intime. Pas kësaj, ajo u kërkonte para dhe më pas i kërcënonte duke pretenduar në mënyrë të rreme se ishte e mitur.

Sipas hetimeve, ajo fillimisht i joshte viktimat përmes rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të komunikimit. Pasi merrte para për fotografitë që u dërgonte, ajo ndryshonte versionin e historisë dhe pretendonte se ishte vetëm 15 vjeçe. Në këtë mënyrë, ajo i kërcënonte viktimat se do t’i denonconte tek familjarët ose autoritetet nëse nuk paguanin shuma të tjera parash.

Në një rast, një burrë u detyrua të paguante mbi 1.100 paund pasi u kërcënua vazhdimisht. Në një rast tjetër, një student i dorëzoi rreth 300 paund para se të njoftonte policinë për shantazhin. Ekspertët e sigurisë online paralajmërojnë se mashtrimet dhe shantazhet në internet janë rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe shpesh viktimat hezitojnë të raportojnë rastet nga frika ose turpi.