Ylli televiziv, Kim Kardashian, ka përfunduar programin e saj juridik dhe e ka festuar me një ceremoni intime në oborrin e shtëpisë.

Pas një rruge 6-vjeçare të mbushur me sfida, Kim arriti që të realizonte dëshirën e saj. Por, ndonëse krenare për arritjen e saj, reagimet në rrjet nuk kanë qenë të gjitha pozitive.

44-vjeçarja ndau momentin e diplomimit në profilin e saj në “Instagram”, ku shihet e ulur pranë një podiumi, me një bluzë gri, fund të shkurtër të zi dhe kapelën tradicionale të diplomimit në ngjyrë bezhë. Mentorët e saj mbajtën fjalime të ngrohta, ndërsa fëmijët dhe familjarët e ndoqën të emocionuar. Një nga mentorët e quajti rrugëtimin e Kim-it si “një nga më frymëzuesit në fushën juridike.”

Megjithatë, shumë ndjekës nuk u përmbajtën pa e komentuar kohëzgjatjen e këtij rrugëtimi, duke e quajtur qesharake faktin që iu deshën 6 vite për të përfunduar një program që normalisht zgjat 3.

“Lmao, 6 vite për të përfunduar ‘bar prep-in’”, shkroi një përdorues, ndërsa të tjerë shtuan emoji duke qeshur dhe komente tallëse për “shpejtësinë e saj në studime.”

Kim nuk ndoqi një shkollë klasike juridike. Ajo përfundoi programin alternativ Law Office Study Program (LOSP) në Kaliforni, i cili lejon ndjekjen e ligjit përmes praktikës në një zyrë avokatie, pa pasur nevojë të ndjekësh fakultetin. Megjithatë, ende i duhet të kalojë provimin e “Bar Exam” për t’u bërë zyrtarisht avokate.

Mentorët e saj theksuan përkushtimin e Kim-it, duke kujtuar se ajo e përfundoi këtë rrugëtim duke rritur katër fëmijë, drejtuar biznese, xhiruar emisione televizive dhe duke qenë aktive në çështje ligjore për drejtësi penale.

Edhe Van Jones nga CNN mori pjesë në ceremoni, duke lavdëruar angazhimin e saj për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe përpjekjet për falje të dënimeve dhe ribashkime familjare.

Tashmë, ajo ka diplomën në dorë – por do të jetë provimi i Bar-it që do të vendosë nëse Kim do të hyjë realisht në sallat e gjyqit si avokate me të drejtë të plotë.