Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur opinionin publik, pasi një influencere 32-vjeçare u gjet e pajetë brenda një valixheje, ndërsa hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që ajo të ketë qenë ende gjallë në momentin kur u varros.

Viktima Stefanie Pieper dyshohet se u vra nga ish-i dashuri i saj pas një konflikti të ashpër në banesë, pasi ishte kthyer nga një festë. 31-vjeçari është arrestuar dhe akuzohet se e ka mbytur, përpara se ta fuste trupin në një valixhe dhe ta transportonte drejt një zone pyjore pranë kufirit mes Austrisë dhe Sllovenisë.

Megjithatë, zhvillimi më tronditës i hetimeve lidhet me rezultatet paraprake të autopsisë. Ekspertët nuk kanë arritur të përcaktojnë me saktësi momentin e vdekjes, duke lënë të hapur mundësinë që viktima të ketë qenë pa ndjenja, por ende gjallë, kur u fut në valixhe dhe më pas u varros.

Në trupin e saj janë konstatuar shenja mbytjeje dhe dëmtime në fytyrë, të cilat mund të jenë shkaktuar si nga dhuna, ashtu edhe nga lëvizjet brenda valixhes gjatë transportit. Para ngjarjes, 32-vjeçarja kishte dërguar një mesazh shqetësues një shoqeje, ku paralajmëronte për praninë e një personi të dyshimtë në shkallët e pallatit, duke përmendur një figurë të errët që e kishte trembur.

Alarmi u ngrit kur ajo nuk u paraqit në një set fotografik të planifikuar. Një fotograf, i shqetësuar nga mungesa e saj, shkoi në banesë dhe më pas njoftoi policinë. Telefoni i viktimës u gjet i hedhur në një zonë me shkurre, ndërsa trupi u zbulua pas disa ditësh kërkimesh intensive me dronë dhe qen gjurmues.

I dyshuari, i cili raportohet se ishte i tronditur nga ndarja, ka pranuar krimin dhe ka çuar policinë drejt vendit ku kishte fshehur trupin. Avokati i tij ka deklaruar se klienti ishte nën ndikimin e kokainës në momentin e ngjarjes dhe se shpreh pendesë të thellë për atë që ka ndodhur. Çështja pritet të shkojë në gjykatë gjatë këtij viti, ndërsa hetimet vijojnë.