Një nga biznesmenët më të pasur të Finlandës, u urdhërua të paguante një gjobë astronomike prej 120 mijë eurosh, pasi u kap duke tejkaluar shpejtësinë me 59 km/orë në një zonë ku limiti ishte vetëm 30 km/orë. 79-vjeçari Anders Wiklöf, themelues i Wiklöf Holding AB me një xhiro vjetore prej mbi 350 milionë eurosh, ra viktimë e ligjit të rreptë finlandez.
Në Finlandë, shkeljet e shpejtësisë që tejkalojnë 20 km/orë konsiderohen serioze dhe madhësia e gjobës lidhet drejtpërdrejt me të ardhurat e shkelësit. Kështu, drejtimi i pakujdesshëm i Wiklöf në arkipelagun Åland u shndërrua në një çështje jashtëzakonisht të kushtueshme.
Pavarësisht madhësisë së gjobës, biznesmeni nuk u përpoq ta kundërshtonte thirrjen në gjykatë. Duke folur për gazetën finlandeze “Nya Åland”, ai e pranoi fajin. “Nëse kam bërë një gabim, kam bërë gabim, e pranoj dhe nuk ka asgjë më shumë për të thënë”, u shpreh ai. Në fakt, ai e konsideron veten me fat që e ka mbajtur lejen e drejtimit, pasi në rastet e shkeljeve më të mëdha, patenta i hiqet menjëherë.



