Reperi Besart Kelmendi, i njohur me emrin e artit Gjesti, është liruar nga paraburgimi vetëm një javë pas arrestimit të tij në Prishtinë, raportojnë mediat vendase.

Ai ishte ndaluar fillimisht nën dyshimin për “armëmbajtje pa leje” dhe kishte qëndruar 48 orë në mbajtje.

Prokuroria kishte kërkuar një muaj paraburgim, duke ngritur akuza për “kanosje”, “asgjësim apo dëmtim të pasurisë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Megjithatë, pas një jave, masa e sigurisë është ndryshuar dhe Kelmendi vazhdon procedurat në gjendje të lirë.

Dëshmia e reperit

Gjesti ka dhënë dëshminë e tij në gjykatë lidhur me incidentin që ndodhi në ambientet e studios “Onima”, duke deklaruar se veprimet për të cilat dyshohet i ka kryer në një gjendje emocionale dhe ka kërkuar falje për situatën. Ai ka thënë se gjithçka ka ndodhur në një moment të vështirë emocional:

“Pajtohem me deklarimin e avokatit tim, dua ta njoftoj gjykatën se jam në ankth, kam vepruar në gjendje të afektit. I kërkoj falje gjykatës, prokurorit dhe palës së dëmtuar”.

Avokati i tij, Artan Qerkini, ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, duke argumentuar se nuk ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale dhe se reagimet impulsive zakonisht nuk përsëriten. Ai ka shtuar se klienti është i gatshëm të hyjë në marrëveshje për pranimin e fajësisë.