Ceremonia e ndarjes së Çmimeve Oscars 2022 do të mbahet mend për shpullën që Will Smith i dha Chris Rock, pasi ky i fundit bëri një batutë për flokët e bashkëshortes së aktorit të famshëm.

Pasi videoja e këtij momenti aspak të këndshëm u bë menjëherë viral në rrjet, Smith bëri një postim në “Instagram” ku kërkoi falje ndaj komedianit të njohur. Ai e cilësoi sjelljen e tij agresive si të pafalshme.

Ndërkohë ky incident që do të ngelet në historinë e Oscars si një ndër më të “shëmtuarit”, bëri që të sjellë në vëmendje deklaratat që Smith bënte disa kohë më parë për babanë e tij.

Ylli i kinematografisë solli disa muaj më parë librin e tij, në të cilin tregonte se si babai i tij dhunonte të ëmën kur ishte në një moshë shumë të vogël. Ai pranonte se gjithmonë e kishte menduar veten si një frikacak për të ndaluar të atin.

“Kur isha 9 vjeç, pashë babain tim duke goditur nënën time në kokë aq fort sa u rrëzua. E pashë gjakun përtokë”, shkruante aktori i famshëm. Will kujtonte se si ndihej për babanë vite më vonë, pasi u diagnostikua me kancer.

“Një natë, ndërsa e çova nga dhoma e gjumit drejt banjës, një errësirë ​​u ngrit brenda meje. Si fëmijë gjithmonë i thosha vetes se një ditë do të hakmerresha për nënën. Se kur të isha mjaftueshëm i madh, kur të isha mjaft i fortë, kur të mos isha më frikacak, do ta vrisja”.