Ish-finalistja e “Big Brother VIP 4”, Egli Tako, prej disa ditësh është pjesë e diskutimeve në rrjetet sociale pas një performance të saj në një koncert, ku interpretoi këngën “Mora fjalë”, të Shkurte Fejzës.
Këngëtarja është komentuar shumë për veshjen, që sipas tyre nuk ishte e përshtatshme për një këngë me ndjeshmëri të lartë kombëtare. Por jo vetëm kaq, pasi u kritikua edhe për mënyrën e interpretimit.
Akuza të shumta u hodhën për “playback”, me pretendimin se Egli nuk këndoi live, por vetëm lëvizte buzët në skenë.
Kritika për këtë performancë pati edhe nga artistë të tjerë, përfshirë këngëtaren e njohur, Albina Kelmendi, e cila e quajti turp që “një këngë për heroin e Kosovës të shndërrohet në show”.
Përballë gjithë kësaj zhurme, Egli zgjodhi të mos japë asnjë koment publik apo përgjigje direkte. Në vend të kësaj, Tako postoi në rrjetet sociale një fotografi ku shfaqet brenda një makine, me një buzëqeshje të lehtë dhe të qetë.
Ajo kishte bashkangjitur një zemër të kuqe me flakë – një simbol që shumëkush e lexoi si përgjigje e heshtur ndaj kritikëve.
Ky reagim minimalist u interpretua si një mesazh i qartë: pavarësisht polemikave, Egli nuk lejon që komentet negative ta lëkundin në rrugën e saj artistike.