Georgina Rodríguez ka ndarë detaje nga ceremonia e martesës me Cristiano Ronaldon, duke treguar se çifti hoqi dorë nga ideja e një feste luksoze dhe zgjodhi të kurorëzonte lidhjen në një ambient me domethënie të veçantë për familjen e tyre.
Në një intervistë për “Vogue”, partnerja e yllit portugez tregoi se dasma u organizua në shtëpinë e çiftit në Portugali, vetëm me njerëzit më të afërt dhe larg një ceremonie madhështore.
Rodríguez pranoi se vizioni i saj për martesën ka ndryshuar tërësisht me kalimin e viteve. Në fëmijëri, ajo imagjinonte një dasmë përrallore, të zhvilluar në një kështjellë, me karrocë, një fustan shumë të gjatë dhe një kurorë të mbushur me diamante.
Por jeta përkrah Ronaldos dhe familja që kanë krijuar së bashku e kanë bërë të vlerësojë diçka krejt tjetër. Për Georginën, luksi dhe vendet spektakolare janë tashmë pjesë e zakonshme e jetës së tyre, ndërsa një moment i thjeshtë dhe privat është bërë shumë më i rrallë dhe, për këtë arsye, më i çmuar.
Ajo tregoi se çifti vendosi që ceremonia të zhvillohej pikërisht në dhomën e ndenjes së shtëpisë, në hapësirën ku familja kalon një pjesë të madhe të përditshmërisë.
Sipas saj, zgjedhja kishte edhe një domethënie të veçantë për fëmijët. Rodríguez dëshiron që, edhe pas shumë vitesh, ata të mund të shohin të njëjtën tryezë ku familja mblidhet çdo ditë dhe ta kujtojnë si vendin ku prindërit e tyre shkëmbyen betimet e martesës.
“Pas 30 vjetësh dua që fëmijët të mendojnë se diçka e mrekullueshme ndodhi në këtë tryezë: këtu prindërit tanë dhanë betimet e martesës”, u shpreh ajo.
Për Georginën, pikërisht thjeshtësia dhe lidhja emocionale me shtëpinë e familjes e bënë ceremoninë më të veçantë sesa çdo kështjellë apo festë luksoze që kishte imagjinuar dikur.
