Një 57-vjeçar në Itali u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe u përpoq të justifikohej me një shpjegim sa origjinal, aq edhe të pabesueshëm. “Me siguri e kam tepruar me uthullën në sallatë!”, u tha ai efektivëve të Policisë Rrugore pasi alkooltesti rezultoi pozitiv. Ngjarja ndodhi në rrugën “Via Emilia”, pranë Castel San Pietro, ku një patrullë e Policisë Rrugore ndaloi furgonin që drejtohej nga 57-vjeçari, fillimisht sepse ai nuk kishte vendosur rripin e sigurimit.
Megjithatë, sapo drejtuesi uli xhamin e automjetit, policët ndienë një erë të fortë alkooli që vinte nga brenda. “Fillimisht menduam se aroma mund të vinte nga ndonjë shishe e thyer gjatë transportit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Bolonjës. I pyetur për ngarkesën, 57-vjeçari shpjegoi se transportonte pije, përfshirë edhe produkte alkoolike. Por pas verifikimeve u kuptua se era e alkoolit nuk vinte nga ngarkesa, por nga vetë shoferi.
Testi paraprak rezultoi menjëherë pozitiv, ndërsa alkoolmetri tregoi një nivel prej 1.73 gramësh alkool për litër gjak, më shumë se trefishi i kufirit ligjor prej 0.5 g/l. Pikërisht në atë moment, drejtuesi i automjetit tentoi të bindte policët me justifikimin e pazakontë. “Me siguri e kam tepruar me uthullën në sallatë!”, u shpreh ai, një shpjegim që, sipas autoriteteve, nuk i bindi aspak efektivët. 57-vjeçari u denoncua për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe iu pezullua menjëherë leja e drejtimit.



