Luiza Gega ishte mëngjesin e sotëm e ftuar në emisionin “Wake Up” në Top Channel, ku ka folur për fillimet e karrierës së saj.
Kampionia shqiptare në atletikë ka treguar se në fillimet e saj nuk ka ditur shumë gjëra për sportin që ajo stërvitej, por me kalimin e viteve kuptoi të gjitha.
Gjithashtu Luiza zbuloi se ka pasur shumë raste që ka dashur që të heqë dorë nga sporti, por nuk e bëri dhe më në fund puna e saj është shpërblyer.
Pjesë nga rrëfimi i saj në Wake Up:
Çdo gjë ka ardhur thjesht hap pas hapi dhe duke punuar, sigurisht me shumë vështirësi, sepse asgjë nuk është e lehtë e sidomos në sport që ka vërtetë një disiplinë shumë të hekurt, duhet të heqësh dorë nga shumë gjëra, nga një jetë sociale, nga qejfet që mund të ketë një njeri, qoftë moshën e adoleshencës, qoftë në universitet. Më janë dashur shumë vite, ndoshta mund të vinte më herët, por ka qenë shumë e vështirë fillimet e mia. Nuk është se mbështetej shumë si sport, qoftë edhe unë vetë nuk jam rritur me këtë që të na shtynin, mund t’ia dalësh. Ose nuk kisha shembuj suksesi që dikush më përpara ia kishte dalë. Sepse nëse dikush ia del të ndihmon që edhe ti t’ja dalësh.
Unë nuk e dija rrugën. Kemi bërë bashkë me trajnerin shumë sakrifica por nuk kemi ditur shumë gjëra që i kemi mësuar në vazhdimësi gjatë rrugëtimit tonë.
Nuk dinim shumë për stërvitjet në lartësi sepse ndryshojnë shumë nga stërvitjet këtu. Unë u stërvitja shumë dhe stërmundoja trupin më shumë se duhej. Ndonjëherë në vend që të përmirësohesha, kaloja në mbingarkesë.
Unë edhe momentin e parë që kam përfaqësuar Shqipërinë, unë e them kryesisht në çdo intervistë, vesha për herë të parë ngjyrat kuq e zi dhe dola nga fundi. Ishte pikërisht kampionati europian dhe u ndjeva shumë keq. Kur përfaqëson veten, përfaqëson veten por kur përfaqëson ngjyrat e kombit tënd është një përgjegjësi shumë e madhe. Mua m’u dha ajo përgjegjësi dhe fillimet e mia nuk isha. U ndjeva shumë keq. I thashë trajnerit tim ‘ose do të stërvitem fort dhe të paktën të jem e konkurrueshme, që mos të thonë se kjo është shqiptare dhe është e fundit’. Aty filloi çdo gjë. Të ndryshoja konceptin mbi atë që unë bëja. Kuptova që ky do të jetë një rrugëtim shumë i vështirë, duhet të heqësh dorë nga shumë gjëra.
Ka një model, burim frymëzimi?
Unë nuk kam pasur X sportist që mendoja që mund t’a arrija. Edhe sporti si çdo profesion tjetër, ka të njëjtën rrugë: po nuk punove fort, po nuk qe i dedikuar, nuk ia del dot. Duhet të jesh shumë i vendosur. Unë në fakt kam model çdo njeri suksesi në profesionin e vet. E gjej veten te të gjithë personat që punojnë fort dhe unë i dalloj që ato vërtetë punojnë fort dhe ia dalin në punën që bëjnë. Nuk ja lejnë rastësisë.
Këto gjëra që më kanë ndodhur nuk kanë qenë të rastësishme. Në sport nuk ka asgjë të rastësishme. Mund të ketë një herë. Unë mendoj se duhet të mundohem shumë, shumë fort për të pasur dhe pak fat.
Ajo që kam vënë re tek unë, ka pasur shumë momente të vështira që ‘kam menduar që nuk ia dal dot’ apo edhe duhet të heq dorë. Se ka pasur shumë. Por ja erdhi momenti që ajo puna u shpërblye. Herët apo vonë ajo lodhja jote shpërblehet.