Mjeku i njohur pediatër Edi Tushe ka qenë i ftuar në emisionin “Galeri” me Edi Manushi, ku ka ndarë disa prej momenteve më të ndjeshme dhe domethënëse të jetës së tij.

Tushe ka kujtuar periudhën e adoleshencës, duke rrëfyer një bisedë prekëse që kishte pasur me të atin:

“Në një moment kur isha adoleshent, periudha kur ti i kundërshton prindërit dhe i sheh si injorantë apo jashtë kohe, i thashë tim eti: ‘Pse e flet kështu italishten, ç’është kjo italishte e çalë?’ Dhe ai më tha: ‘Vërtetë mor bir, nuk jam aq i ditur sa ti, por qëllimi i prindit është ta bëjë fëmijën më të ditur seç është vetë. Por mbaje mend, sa herë të thuash jam i biri i filanit e filanes, mbaje kokën lart, që askush të mos thotë kush është ai që ka këta prindër’”.

Ai shtoi se nga prindërit kishte marrë një mësim të vlefshëm për harmoninë familjare:

“E kam pyetur babain tim: nëse ndodh ndonjë problem mes meje dhe mamasë, me kë do bëhesh? Ai më tha ‘me mamin’. U mërzita pak, prisja tjetër përgjigje. Më vonë e pyeta nënën time për të njëjtën gjë, dhe ajo më tha ‘me babin’. Ky ishte një shembull i mrekullueshëm harmonie, që e bën të shëndetshme gjithë familjen”.

Në intervistë, Tushe foli edhe për vëllanë e tij, i cili sipas tij ka kaluar një periudhë shumë të vështirë gjatë viteve të komunizmit.

“Kur vëllai im ishte 16 vjeç, u njoh me një vajzë italiane, vajza e një diplomati në Tiranë. Kishin vetëm shoqëri, ishin fëmijë, bënin stërvitje basketbolli bashkë. Por kur ai arriti moshën madhore, në vitin e parë të fakultetit, e arrestuan. Akuza e parë ishte ‘tradhti e lartë ndaj atdheut’ dhe ‘spiunazh për katër agjentura të huaja’. Për një djalë që sapo kishte bërë 18 vjeç, kjo ishte absurde. E gjitha ajo kohë ishte absurde”, tha mjeku.

Tushe tregoi se ndërsa vëllai i tij ndodhej në birucë, ai u akuzua padrejtësisht edhe për hedhjen e bombës në ambasadën jugosllave, ngjarje që kishte ndodhur disa muaj pas arrestimit të tij.

Rrëfimi i sinqertë dhe emocional i mjekut prek audiencën, duke sjellë në vëmendje sfidat e brezit të tij, por edhe mesazhin e fuqishëm për dashurinë, respektin dhe unitetin familjar. /Top Channel/