Policia ka arrestuar një person të dytë në lidhje me vrasjen e një adoleshenteje, e cila u zhduk pothuajse 30 vjet më parë. Donna Keogh ishte vetëm 17 vjeçe kur u zhduk në vitin 1998, pasi kishte vizituar një banesë në Middlesbrough, në North Yorkshire, së bashku me një shoqe. Donna u pa për herë të fundit më 28 prill 1998 dhe, sipas policisë, gjatë atij viti kishte udhëtuar edhe drejt Leeds.

Pavarësisht hetimeve që kanë zgjatur për dekada, trupi i 17-vjeçares nuk është gjetur kurrë, ndërsa autoritetet dyshojnë fort se ajo u vra pas zhdukjes. Në muajin mars, Policia e Cleveland njoftoi arrestimin e një 64-vjeçari, i dyshuar për vrasjen e saj, zhvillimi i parë i rëndësishëm në këtë çështje pas shumë vitesh.

Së fundmi, autoritetet kanë arrestuar edhe një 62-vjeçar, gjithashtu nën dyshimin për vrasjen e Donna Keogh, ndërsa hetimet mbi këtë dosje vijojnë. I dyshuari, i arrestuar në zonën e Manchesterit, pritet të merret në pyetje nga hetuesit në lidhje me këtë çështje. Ndërkohë, 64-vjeçari i arrestuar në muajin mars vijon të mbahet në paraburgim, ndërsa hetimet vazhdojnë. Zëvendësdrejtuesi i hetimeve, inspektori Evan Kirtley, tha se policia është e vendosur të zbardhë të vërtetën dhe t’i japë përgjigje familjes së Donna Keogh. “Ne kemi kryer një arrestim të dytë në lidhje me vrasjen e Donna Keogh”, deklaroi ai.

“Familja e Donnës ka jetuar me një pasiguri të padurueshme për gati 30 vjet dhe meriton të dijë se çfarë ndodhi me të. Dikush e di të vërtetën dhe mund të na ndihmojë t’u japim familjarëve pak qetësi dhe paqe pas gjithë kësaj kohe. Nëse keni informacion, ju lutemi na kontaktoni.

Mund ta bëni drejtpërdrejt ose në mënyrë anonime”, tha inspektori Evan Kirtley. Donna, për të cilën shoqja e saj kishte këmbëngulur se ishte “e sigurt” në banesën që vizitoi, u raportua e zhdukur një muaj pasi humbi kontaktet. Besohet se në të njëjtën ditë në atë banesë ndodheshin edhe katër burra.

Hetimi i parë për vrasje u hap në mars të vitit 1999, kur dy burra u arrestuan si të dyshuar. Megjithatë, pavarësisht hetimeve të gjata, askush nuk është akuzuar deri më sot për vrasjen e 17-vjeçares.

Prindërit e Donnës, Brian dhe Shirley, nuk kanë reshtur kurrë së kërkuari drejtësi për vajzën e tyre. Në 25-vjetorin e zhdukjes së saj, në vitin 2023, Shirley tha se dhimbja “nuk bëhet kurrë më e lehtë”. “Nuk bëhet më e lehtë. Thonë se me kalimin e kohës dhimbja zbutet, por nuk është e vërtetë”, u shpreh ajo.