Aktorja e njohur Claudia Cardinale, e cila ndërroi jetë të martën në moshën 87-vjeçare, mbetet një nga figurat më të dashura të kinemasë italiane dhe ndërkombëtare.
Ylli i viteve ‘60 nuk ishte vetëm një ikonë e bukurisë dhe talentit, por edhe një grua me një forcë të jashtëzakonshme përballë dhimbjes së heshtur që e shoqëroi për dekada.
Pas një paraqitjeje të jashtme plot hijeshi dhe sensualitet, Cardinale mbante një plagë të thellë nga rinia e saj. Në një intervistë të rrallë për Corriere della Sera, ajo rrëfeu se ishte vetëm 16 vjeçe kur u përdhunua në Tunis nga një burrë i rritur i panjohur për të. Nga ajo ngjarje e rëndë, ajo mbeti shtatzënë dhe solli në jetë djalin e saj, Patrick.
“As për një moment nuk mendova ta hiqja fëmijën tim,” tha ajo me vendosmëri. Forca e saj u shfaq jo vetëm në përballimin e traumës, por edhe në zgjedhjen për të mbajtur shtatzëninë, në një kohë kur shoqëria italiane ishte ende shumë e mbyllur ndaj temave të tilla. Patrick, djali i saj, u rrit fillimisht duke besuar se Claudia ishte motra e tij, për të mbrojtur imazhin publik të aktores dhe për ta ruajtur atë nga thashethemet. E vërteta iu zbulua më vonë përmes një interviste me gazetarin Enzo Biagi, ku Cardinale tha se “Ishte e nevojshme. Guximi del kur nevojitet.”
Në përballjen me situatën, Claudia pati mbështetjen e familjes, veçanërisht të motrës së saj Blanche, e cila e ndihmoi të kujdesej për Patrick. Franco Cristaldi, producent dhe partner i saj në atë kohë, u kujdes që çdo detaj të trajtohej me diskrecion të plotë. Ai madje shkatërroi letrat që babai biologjik i Patrick-ut dërgonte, pa dijeninë e saj.
Patrick, i cili është rritur mes Italisë dhe SHBA-së, zgjodhi një jetë larg vëmendjes së mediave. Ai është bërë një stilist bizhuterish me bazë në Nju Jork.