Fituesja austriake e Çmimit Nobel për Letërsi, Elfriede Jelinek, reagoi për AFP-në të martën, duke thënë se ishte gjallë dhe mirë. Shkak u bënë disa lajme të rreme të mediave në Gjermani dhe Austri, ku thuhej se 78-vjeçarja kishte ndërruar jetë.

“Përsëri? Kjo është hera e dytë që vdes. Më ndodhi edhe mua vitin e kaluar. Por unë jam ende këtu”, komentoi me humor shkrimtarja 78-vjeçare për “Agence France-Presse”.

Informacioni u postua fillimisht në X, në një llogari që supozohej se i përkiste një dege të një shtëpie botuese gjermane, dhe u riprodhua nga mediat, duke provokuar reagime të forta emocionale në faqet e rrjeteve sociale.

Jelinek është një nga autoret më të lexuara dhe më të studiuara në gjuhën gjermane. Ajo fitoi Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 2004.