Një punonjës në Spanjë, i cili humbi vendin e punës menjëherë pas përfundimit të lejes së atësisë, ka arritur të sigurojë një dëmshpërblim prej 10.500 eurosh, plot 15 herë më shumë se oferta fillestare e kompanisë. Ngjarja nisi kur burri, i sapobërë baba, u rikthye në punë pas lejes së atësisë, por u përball me vendimin për shkarkimin e tij.
Fillimisht, ai kishte nënshkruar një marrëveshje me kompaninë, por më pas vendosi të kërkonte ndihmë ligjore për të shqyrtuar mundësinë e një kompensimi më të madh. Punonjësi iu drejtua avokatit të çështjeve të punësimit, Víctor Arpa, vetëm një ditë përpara përfundimit të afatit ligjor për kundërshtimin e shkarkimit.
Në Spanjë, punonjësit kanë 20 ditë pune për të kundërshtuar një vendim të tillë. “Arritëm në momentin e fundit”, tregoi avokati në një video të publikuar në rrjetet sociale.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit, Arpa vendosi të vazhdonte çështjen. Ditën e gjyqit, kompania ofroi 700 euro për mbylljen e konfliktit, por avokati e refuzoi propozimin.
Sipas tij, gjyqtari i kërkoi kompanisë të rishikonte ofertën, duke hapur rrugën për negociata të reja. Në përfundim, palët arritën një marrëveshje për 10.500 euro. “Gëzohem veçanërisht për të dhe familjen e tij, sepse sapo ishte bërë baba dhe meritonte të trajtohej me respekt”, deklaroi Arpa.

