Aktorja e njohur, Evangeline Lilly ka ndarë një përditësim shqetësues për gjendjen e saj shëndetësore, disa muaj pas aksidentit të rëndë që pësoi. Ajo bëri të ditur se ekzaminimet mjekësore kanë treguar dëmtime në tru, të cilat kanë ndikuar në funksionimin e tij.

Lilly shpjegoi se rezultatet e skanimeve tregojnë se disa zona të trurit po punojnë me kapacitet të reduktuar, çka ka sjellë vështirësi njohëse dhe pasoja të tjera që po monitorohen nga mjekët. Ajo theksoi se procesi i rikuperimit do të kërkojë kohë dhe trajtim të vazhdueshëm.

Aktorja u bë e famshme me rolin e saj në serialin Lost, ndërsa më vonë u shndërrua në një nga figurat kryesore të Marvel Cinematic Universe. Aksidenti ndodhi gjatë një shëtitjeje, kur ajo humbi ndjenjat dhe u rrëzua me fytyrë mbi një shkëmb, duke përfunduar me plagë të rënda dhe transport urgjent në spital. Fillimisht ajo mendoi se bëhej fjalë për një episod të zakonshëm, por kontrollet e mëvonshme zbuluan pasoja serioze.

Pavarësisht situatës së vështirë, Lilly u shpreh se po përpiqet ta përballojë këtë fazë me qetësi dhe forcë, duke u fokusuar në shërimin dhe në jetën familjare.