Mjeku personal i presidentit amerikan Trump ka reaguar pas komenteve dhe spekulimeve që shpërthyen në rrjetet sociale lidhur me një njollë të kuqe të dukshme në qafën e tij gjatë një aktiviteti publik në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti u pa me një skuqje në anën e djathtë të qafës gjatë ceremonisë së Medaljes së Nderit, ku ai foli edhe për sulmet ndaj Iranit gjatë fundjavës. Pamjet u shpërndanë shpejt online, duke nxitur pyetje mbi gjendjen e tij shëndetësore.

Sipas mjekut Sean Barbabella, presidenti po përdor një krem të zakonshëm si trajtim parandalues për lëkurën, i cili mund të shkaktojë skuqje që zgjasin për disa javë. Ai sqaroi se trajtimi është përdorur prej një jave dhe se reagimi i dukshëm në lëkurë është efekt i pritshëm.

Pas deklaratës së mjekut, gazetarë të Shtëpisë së Bardhë ngritën pyetje shtesë mbi natyrën e trajtimit dhe arsyen pse ishte i nevojshëm, megjithatë nuk u dhanë detaje të tjera mjekësore. Në një rast të mëhershëm, presidenti kishte shpjeguar një mavijosje në dorë duke thënë se ishte përplasur me një tavolinë dhe se përdorimi i aspirinës, që merr për shëndetin e zemrës, mund të shkaktojë nxirje më të lehta në lëkurë.