Dy gra që u birësuan veçmas rreth 40 vjet më parë nga e njëjta jetimore në Indi dhe u takuan si fëmijë në Holandë, kanë zbuluar dekada më vonë se janë motra. Sipas një raporti në New York Post, Mina Geltink, 43 vjeç, dhe Minal Theisen, 44 vjeç, zbuluan pas një testi ADN-je se janë motra, rreth 30 vjet pasi u takuan për herë të parë.

Kur të shoh, ndihem sikur po kthehem në shtëpi. Për vite me radhë kam ndjerë një boshllëk në zemër. Është sikur është gjetur pjesa që mungon në enigmë“, i tha Mina motrës së saj gjatë ribashkimit të tyre të martën në Holandë.

Të dyja gratë u birësuan rreth 40 vjet më parë nga familje të ndara dhe u rritën rreth 160 kilometra larg njëra-tjetrës në Holandë. Rrugët e tyre u kryqëzuan për herë të parë në vitin 1996, në një aktivitet për fëmijët e birësuar. Edhe pse nuk dinin asgjë për marrëdhënien e tyre, ato menjëherë u ndjenë të afërta me njëra-tjetrën, teksa njerëzit përreth tyre u thonin se sa shumë ngjanin.

Ato i morën me shaka komentet, teksa nisën ta quanin njëra-tjetrën “motra” pa e ditur kurrë se ishin të tilla. Dy vajzat u bënë shoqe, por më pas jeta e tyre mori rrugë të ndryshme dhe ato nuk patën kontakt për rreth 15 vjet.

Gjithçka ndryshoi për dy gratë prillin e kaluar, kur një test ADN-je i MyHeritage tregoi se ato ishin motra. Minal, e cila tani jeton në Francë me partnerin e saj dhe dy djemtë e tyre, ishte ulur në divan kur mori rezultatet në telefonin e saj. “Nuk mund ta besoja”, kujton ajo.

Në fillim, ajo nuk e kuptoi se motra që sapo kishte gjetur ishte e njëjta vajzë me të cilën ishte lidhur pothuajse 30 vjet më parë. Ajo e kërkoi atë në mediat sociale dhe, duke parë fotot e saj, e kuptoi se kush ishte.

Takimi i tyre i parë pas zbulimit u zhvillua në qytetin Sertoogenbosch, në Holandë. Dy gratë u përqafuan, qeshën dhe qanë, dhe bënë selfien e tyre të parë së bashku, duke ditur tani marrëdhënien e vërtetë që i lidhte ato.

“Ne ishim shoqe para se të zbulonim se ishim motra. Ne ishim motra gjatë gjithë kësaj kohe, thjesht nuk e dinim”, tha Minal.