Tenistja e njohur franceze, Oceane Dodin, ka befasuar opinionin publik me deklaratën e saj të hapur dhe pa komplekse. 28-vjeçarja, e cila është rikthyer së fundmi në fushë pas një pauze të gjatë për shkak të problemeve shëndetësore, ka pranuar publikisht se ka bërë ndërhyrje estetike për zmadhimin e gjoksit, duke u bërë kështu sportistja e parë aktive që e pohon një gjë të tillë.
Në një intervistë për “Daily Mail Sport”, Dodin u pyet për zhurmën që shkaktoi rrëfimi i saj dhe u përgjigj pa hezitim:
“E dija që njerëzit dhe gazetarët do të flisnin, sepse në këtë sport askush nuk e kishte bërë më parë. Por për mua nuk është asgjë e çuditshme. Janë vetëm gjinj, kaq. Nuk e prisja që do të bëhej gjithë kjo histori”.
Sipas “Tennis365”, Dodin u tërhoq nga aktivitetet sportive në dhjetor të vitit 2024 për” t’u shëruar nga një problem në veshin e mesëm që e kishte shqetësuar për gati një dekadë. Gjatë asaj kohe, ajo vendosi të realizojë operacionin estetik që e kishte menduar prej kohësh.
“Ka qenë diçka që e doja për veten time. S’ka të bëjë me tenisin apo performancën. Jam shumë e lumtur që e bëra”, ka shtuar ajo për “Tennis365”.
Rikthimi i saj në fushë, në fund të shtatorit, u pasua nga një valë komentesh në rrjetet sociale dhe artikuj në media, ku shumë e vlerësuan për sinqeritetin dhe guximin për të folur hapur për diçka që shumica e personazheve publikë do ta mbanin të fshehtë.









