Këngëtari i famshëm, Justin Timberlake, ka bërë publike diagnozën e tij me “Lyme disease”, një sëmundje e rrezikshme që transmetohet nga pickimi i rriqrave.

Në një postim në profilin e tij zyrtar në “Instagram”, 44-vjeçari rrëfeu se prej kohësh ka vuajtur nga lodhje ekstreme, dhimbje nervore dhe probleme të tjera shëndetësore gjatë turneut të tij dyvjeçar.

“Kur mora vesh diagnozën, u trondita. Por më në fund kuptova pse ndihesha kaq keq në skenë”, shkroi këngëtari Timberlake. Ai shtoi se e kishte menduar të ndalonte koncertet, por vendosi të vazhdojë për shkak të dashurisë për muzikën.

Ylli i muzikës pranoi se ishte hezituar të fliste më herët, por donte të ishte më i hapur që njerëzit të mos e keqkuptonin. Ky reagim vjen pasi performancat e tij të fundit u kritikuan për mungesë energjie.

Sëmundja “Lyme” është një sëmundje që, nëse nuk trajtohet në kohë, mund të shkaktojë komplikacione serioze. Në vitet e fundit, edhe figura të tjera publike si Justin Bieber dhe Bella Hadid kanë treguar se janë prekur prej saj.