Pamje prapa skenave nga turneu “Eras” tregojnë momentet kur Taylor Swift shpërtheu në lot pasi u takua privatisht me të mbijetuarit dhe familjet e viktimave të sulmit me thikë në Southport, në Angli, në korrik 2024, një sulm që ndodhi gjatë një seminari vallëzimi me temë muzikën e saj dhe i mori jetën tre vajzave të vogla.
Në video, Swift shihet në dhomën e zhveshjes duke qarë me dënesë, ndërsa nëna e saj, Andrea, përpiqet ta qetësojë.
“E di që nuk duket kështu, por e di që i ke ndihmuar”, tha ajo. Pak minuta më pas, këngëtarja duhet të ngrihej në skenë dhe të performonte për tre orë e gjysmë në stadiumin Wembley në Londër.
Sipas ‘BBC’, gjatë premierës në Nju Jork të serialit dokumentar të saj me gjashtë pjesë për Disney+, Swift rrëfeu se pas sulmit ndjeu detyrimin “të krijonte një formë shpëtimi” për fansat e saj.
Në episodin e parë ajo pranon se shpesh jeton në “një realitet joreal”, por duhet të gjejë forcën për të përballuar emocionet dhe më pas të dalë në skenë me energji.
Emocionet u shtuan edhe më shumë, pasi shfaqja në Wembley ishte e para pas anulimit të tre koncerteve në Vjenë për shkak të një kërcënimi terrorist. CIA, tha Swift, kishte identifikuar një komplot për një sulm me bombë, duke e vendosur turneun “për pak centimetra larg një masakre”.
Dokumentari, i titulluar “Fundi i një Epoke”, debuton këtë fundjavë në Disney+ dhe vjen së bashku me filmin koncert të xhiruar natën e fundit të turneut rekord, i cili përfundoi një vit më parë. Swift e përshkruan turneun si “një jetë brenda jetës sime”, që përmbledh mësimet e karrierës së saj 20-vjeçare.
Seriali zbulon punën e jashtëzakonshme që qëndron pas prodhimit të një spektakli të tillë – planifikim i imët, prova, koreografi, dizajn skenash dhe ekip prej profesionistësh ndër më të mirët në industri. Ndërkohë, episodet pasqyrojnë edhe presionin emocional të të qenit në qendër të vëmendjes dhe të performuarit çdo natë pa defekt.
Dashuria e fansave është një tjetër element kyç i dokumentarit. Zëri i tyre dëgjohet gjigant edhe nga regjistrimet, ndërsa atmosfera përshkruhet si “Woodstock pa drogë”. Për shumë prej tyre, Swift është zëri i emocioneve të tyre dhe dokumentari e vulos këtë lidhje të veçantë.
Në një segment prekës, balerini Cameron Saunders flet për sfidat e pranimit në industrinë e performancës për shkak të pamjes, ndërsa Swift e mbështet me adhurim nga publiku. Seriali tregon qartë se turneu ndryshoi jetën e shumë njerëzve, jo vetëm të yllit të muzikës pop.
Nëpër skenat e para të dokumentarit, Swift shfaqet duke qarë gjatë provave të para – lot që ajo i përshkruan si një rit kalimi dhe reflektim mbi rrugëtimin e saj artistik. Turneu, thotë ajo, synonte të ishte një “vend i sigurt” ku fansat mund të përjetonin një gamë të gjerë emocionesh pa turp apo frikë.
Me rekordet e thyera, emocionet e sinqerta dhe një ekip të kthyera në familje, “Eras Tour” paraqitet si një moment unik në karrierën e Taylor Swift dhe dokumentari e kap këtë realitet në detaje të thella, të sinqerta dhe shpesh tejet prekëse.




