Këngëtarja e njohur, Soni Malaj, ka bërë një reagim prekës në profilin e saj në “Instagram” për ndarjen e parakohshme të Shpat Kasapit.
Teksa ka publikuar një fotografi të artistit të ndjerë, Soni shkruan se sot u zgjua me lajmin më të trishtuar.
“Lamtumirë miku im… Sot u zgjova me lajmin më të trishtuar. U shua papritur një zë, një shpirt i bukur, një artist që me talentin e tij preku zemrat e shumë shqiptarëve anembanë. U shua një mik, një njeri me dritë, me qeshjen e tij të ngrohtë, me shpirtin e tij të pastër që gjithmonë gjente forcë t’i jepte muzikës më të mirën e vetes.
Është e vështirë të pranohet se një atak kardiak mund të marrë kaq padrejtësisht dikë që kishte kaq shumë për të dhënë. Por zëri yt, këngët e tua, momentet e paharrueshme që ke lënë pas te ne nuk do të harrohen. Do të jetojë mirësia jote, pasioni yt, zëri dhe muzika jote.
Sot nuk humbëm vetëm një artist, humbëm një shpirt të rrallë. U prehsh në paqe, miku im. Drita jote nuk do të fiket kurrë”, shkruan këngëtarja në postimin e saj në “Instagram”.


