Një histori e rëndë, e mbajtur e fshehtë për vite me radhë, pritet të trondisë opinionin publik përmes një dokumentari të ri. Këngëtarja uellsiane, Aimee Anne Duffy, e njohur si “Duffy”, do të ndajë për herë të parë në detaje përvojën e saj të dhimbshme të rrëmbimit dhe përdhunimit, një ngjarje që e detyroi të largohej nga jeta publike në kulmin e suksesit.

Pas shpërthimit në skenën muzikore në vitin 2008 me albumin “Rockferry”, i cili u bë një sukses i jashtëzakonshëm dhe u vlerësua në ceremonitë Brit Awards dhe Grammy Awards, ajo u zhduk papritur në vitin 2011, duke lënë pas shumë pikëpyetje.

Gati një dekadë më vonë, artistja zbuloi përmes rrjeteve sociale se kishte qenë viktimë e një rrëmbimi dhe përdhunimi, duke shpjeguar se ishte mbajtur robë në një vend të huaj.

Dokumentari i ri, që do të transmetohet në Disney+, do të sjellë intervistën e saj të parë pas 15 vitesh. Filmi do të trajtojë në detaje jetën e saj, nga fëmijëria dhe ngritja e menjëhershme në famë, deri te ngjarjet traumatike dhe përpjekja për t’u rikthyer në jetë.

Regjisorja Gill Callan u shpreh se historia e saj është një ndërthurje mes suksesit dhe dhimbjes: “Jeta e saj është formësuar jo vetëm nga fama, por edhe nga rezistenca dhe forca për të vazhduar përpara. Është pikërisht ky kontrast që e bën historinë kaq të fuqishme.”

E lindur si Aimee Anne Duffy, ajo u rrit në rajonet e Gwynedd dhe Pembrokeshire në Uells, përpara se të shndërrohej në një fenomen global. Albumi i saj debutues ishte më i shituri në Mbretërinë e Bashkuar për vitin 2008.

Pas publikimit të albumit të dytë dhe planeve për një të tretë, ajo u zhduk nga skena. Vetëm në vitin 2020, përmes një postimi në “Instagram”, zbuloi se ishte sulmuar. Një muaj më pas ajo rrëfeu se ishte droguar gjatë një feste ditëlindjeje dhe më pas ishte rrëmbyer dhe përdhunuar jashtë vendit.

Sipas saj, askush nuk kishte dijeni për atë që kishte përjetuar, ndërsa trauma e thellë e kishte çuar edhe në mendime vetëvrasëse. “Më është marrë një pjesë e jetës, por pas shumë vitesh, më në fund ndiej se po rikthehem”, është shprehur ajo.

Ende nuk është bërë e ditur data e publikimit të dokumentarit, por shumë fansa besojnë se ky projekt mund të shënojë rikthimin e saj në muzikë.

Në mars të vitit 2025, ajo publikoi në “TikTok” një paralajmërim për një remiks të hitit të saj “Mercy”, duke shënuar rikthimin e parë në rrjetet sociale pas pesë vitesh heshtje.