Një vajzë që ishte zhdukur pa gjurmë prej 6 vitesh është gjetur së fundmi në Shtetet e Bashkuara, në një rast që autoritetet e konsiderojnë të pazakontë. Fëmija, sot 11 vjeçe, rezulton se kishte jetuar për vite me radhë me një identitet të rremë dhe ndiqte rregullisht shkollën në një shtet tjetër të vendit.
Rasti daton më 2 qershor 2020, kur vajza u zhduk nga qyteti Duarte, një zonë pranë Los Angeles. Në atë kohë u organizuan kërkime të shumta dhe u publikuan disa njoftime për zhdukjen e saj, por për vite me radhë nuk u gjet asnjë gjurmë që të çonte drejt vendndodhjes së të miturës. Fati i saj mbeti një mister deri pak ditë më parë.
Kthesa në hetim erdhi pas një informacioni të ri që u dha autoriteteve dhe që i shtyu hetuesit të rihapnin çështjen. Gjatë verifikimeve, policia zbuloi se një vajzë 11-vjeçare e regjistruar në shkollë me një emër tjetër mund të ishte pikërisht fëmija i zhdukur vite më parë.
Pas kontrolleve dhe krahasimeve të mëtejshme, identiteti i saj u konfirmua. Vajza ishte duke jetuar në Washington County, në shtetin e North Carolina, më shumë se 4 mijë kilometra larg vendit ku ishte zhdukur. Sipas sherifit lokal, e mitura ishte regjistruar në sistemin shkollor me një pseudonim, gjë që kishte ndihmuar në fshehjen e identitetit të saj të vërtetë për një periudhë të gjatë.
Autoritetet e Los Angeles County kanë bërë të ditur se në momentin e zhdukjes vajza ndodhej nën kujdesin e nënës së saj. Pas atij momenti, gruaja ndërpreu papritur çdo komunikim me departamentin për mbrojtjen e fëmijëve dhe shërbimet familjare. Ky fakt ngriti dyshime se ajo mund ta kishte marrë me vete vajzën, por për vite me radhë nuk pati prova apo indicie të mjaftueshme për ta vërtetuar këtë hipotezë. Megjithatë, shumë detaje të historisë mbeten ende të paqarta. Forcat e rendit nuk kanë bërë publike vendndodhjen e saktë ku u gjet vajza dhe as identitetin e personave me të cilët ajo jetonte.





