Disa nga fjalët më prekëse që Marilyn Monroe tha në një nga intervistat e saj të fundit për revistën Life Magazine, kanë shokuar publikun.

Njerëzit në të vërtetë nuk më njohin.

Kjo, vetëm pak ditë para ndarjes nga jeta në verën e vitit 1962.

Aktorja legjendare, e lindur si Norma Jeane Baker, foli hapur për mënyrën se si fama e kishte kthyer në një figurë që publiku e shihte vetëm si simbol sensualiteti, ndërsa ajo vetë ndihej shumë më tepër se kaq.

Ky është problemi, një simbol seksi bëhet një ‘gjë’. Unë e urrej të jem një ‘gjë’

-u shpreh ajo në intervistën që sot konsiderohet një nga dëshmitë më intime të jetës së saj.

Pas imazhit glamour të ikonës së Hollywood-it fshihej një histori e dhimbshme. Monroe kaloi fëmijërinë mes jetimoreve dhe familjeve kujdestare, derisa u zbulua në moshën 18-vjeçare dhe nisi rrugëtimin drejt famës botërore.

Ajo tregonte se dashuria për aktrimin kishte lindur që kur ishte vetëm pesë vjeç, ndërsa kalonte orë të tëra në kinema duke ëndërruar një jetë tjetër.

Në rrëfimin e saj, fama krahasohej me “kavjarin”, diçka që mund të jetë e bukur, por që humbet shijen kur bëhet pjesë e përditshmërisë.

Ndër momentet më ikonike të karrierës së saj mbetet interpretimi i këngës Happy Birthday për John F. Kennedy në vitin 1962, një performancë që vazhdon të kujtohet edhe sot.

Monroe foli gjithashtu për zhgënjimet në industrinë e filmit, ku sipas saj, pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm, shpesh nuk trajtohej me respektin që meritonte.

Ajo preku edhe jetën personale, martesat dhe dëshirën për të pasur një familje të lumtur, një ëndërr që, sipas shumëkujt, nuk arriti ta jetonte plotësisht.

Intervista u publikua më 3 gusht 1962. Vetëm dy ditë më vonë, Marilyn Monroe u gjet e vdekur nga mbidoza e barbiturateve, në një rast të cilësuar si vetëvrasje e mundshme, por që edhe sot vazhdon të mbetet i mbuluar nga misteri.