E ftuar sot në emisionin “Wake Up”, ka qenë Rizarta Hoxha, e cila ka folur për projektet e saj televizive, për punën e saj si influencuese, si dhe ka treguar si mori vendimin për të qenë pjesë e “Big Brother VIP 4”.

Por jo vetëm kaq, pasi influencuesja ka komentuar edhe një video që ajo ka publikuar pak ditë më parë në rrjetet sociale, ku thoshte se si për pak e shtypën me makinë teksa po kalonte te vijat e bardha.

“Më falni, po çfarë dreqin po ndodh me qytetarinë dhe respektimin e rregullave në Shqipëri, edhe këta të tjerët që ngacmojnë rrugës. Po kaloja rrugën te vijat e bardha, me semaforin jeshil dhe dy djem të rinj, dy pseudo djem të rinj shqiptarë, kaluan me shpejtësi me makinë dhe kaluan para këmbëve të mia e desh më shtypën. Më kaloi jeta para syve. Kur reagova dhe u thashë ‘ça dreqin po bëni?’, me arrogancën e tyre që nuk përfundon ndonjëherë thanë ‘hë se nuk të shtypën, kalo shpejt, ik’”, thoshte Rizarta në videon në fjalë.

“Urime që je gjallë njëherë, shyqyr me kaq”, i tha fillimisht Blendi Salaj pasi u dha videoja e saj.

Hoxha më pas u shpreh se më shumë e ka bezdisur reagimi i tyre se sa veprimi, pasi kanë reaguar sikur kjo të ishte diçka shumë normale.

“Më shumë se sa veprimi mua më bezdisi reagimi i tyre, domethënë sikur ishte diçka shumë normale për ta që e bënin vazhdimisht çdo dit. Unë nuk kisha as të drejtën të reagoja se ça po bëni se këtu është e drejta ime për të kaluar. Ata ishin ‘hajde kalo se nuk vdiqe’. Kjo është shumë absurde”, tha ish-banorja e BBV 4.

Sipas saj, kjo nuk ndodh vetëm te vijat e bardha pasi dëgjojmë aksidente që shtohen çdo ditë.

“Ne i shikojmë si statistika po në fakt janë jetë njerëzish që ikin, ka familje që shkatërrohen. Të fundit që kam dëgjuar së fundmi kanë qenë nga shpejtësia dhe në timon kanë qenë djem të rinj”, tha Rizarta duke shtuar:

“E unë kisha para syve dy djem të rinj që duan të duken cool, duan të duken trendi. Për pak adrenalinë ata shtypin gazin më shumë në mes të qytetit. Mirë që nuk respektojnë ligjin, rregullat e qarkullimit rrugor, por nuk respektojnë as të drejtën tonë si njerëz, parësore, të drejtën për të jetuar. Kjo më shqetëson se nuk dua të dal në rrugë dhe ti lutem Zotit që shpresoj të mos ketë ndonjë makinë nga katër anët që unë rrethohem të vijë e të më shtypë”.