Sunny Sandler, vajza e aktorit të njohur Adam Sandler, po bën një hap të rëndësishëm në karrierën e saj si aktore, duke marrë rolin kryesor në filmin emocional “Don’t Say Good Luck”, që pritet të shfaqet së shpejti në Netflix.

Filmi, i prodhuar nga Adam Sandler dhe bashkëshortja e tij Jackie Sandler, sjell historinë e Sophie Birenbaum, një adoleshente, jeta e së cilës ndryshon rrënjësisht brenda pak çastesh.

Sipas trailerit të publikuar, Sophie është në prag të një audicioni vendimtar për shfaqjen e shkollës, për të cilin është përgatitur prej kohësh.

Por pak para se të dalë në skenë, ajo merr një telefonatë nga babai i saj, i cili i jep lajmin tronditës se kanceri i nënës së saj është rikthyer

Edhe pse përpiqet të përmbajë emocionet, Sophie ngjitet në skenë me lot në sy. Situata bëhet edhe më e ndërlikuar kur mëson se ka fituar rolin kryesor në shfaqje, përkrah djalit për të cilin ka ndjenja.

Regjisorja Julia Hart nuk i kurseu vlerësimet për interpretimin e Sunny Sandler, duke e cilësuar atë si një talent të rrallë.

Sunny është në gjendje të sjellë çdo emocion në çdo kohë. Aftësia e saj për të treguar histori të ndryshme në të njëjtën skenë është vërtet e mahnitshme

-u shpreh Hart.

Përveç Sunny Sandler, në kastin e filmit interpretojnë edhe Jack Champion, Stephanie Beatriz, Scarlett Estevez, Emma McNulty, Elyse Bell, Bebe Neuwirth, Steve Buscemi dhe John Lovitz.

“Don’t Say Good Luck” do të ketë premierën në Netflix më 14 gusht dhe konsiderohet një dramë prekëse për familjen, humbjen, dashurinë dhe forcën për të vazhduar përpara edhe në momentet më të vështira të jetës.