Vajza më e vogël e bashkëthemeluesit të Microsoft-it, Bill Gates, Phoebe, ka zbuluar arsyen përse prindërit e saj nuk donin që ajo të përdorte mbiemrin “Gates” gjatë viteve të fëmijërisë.

Gjatë një episodi të podkastit “The Burnouts”, të cilin e drejton bashkë me shoqen e saj të dhomës në Universitetin e Stanfordit, Sophia Kianni, Phoebe tregoi se deri në shkollën e mesme ajo përdorte mbiemrin French, mbiemrin e vajzërisë së nënës së saj, Melinda.

“Prindërit e mi ishin shumë të vendosur që të mos përdornim mbiemrin Gates në fëmijëri. Përdorja mbiemrin e nënës sime që të mos identifikohesha menjëherë si ‘vajza e Bill Gates’”, tha ajo. Vendimi, sipas saj, e ndihmoi të krijonte lidhje të sinqerta me bashkëmoshatarët dhe të rritej me më pak paragjykime.

Edhe pse Bill Gates është një nga njerëzit më të pasur në botë, ai dhe Melinda kanë vendosur që fëmijët e tyre, Jennifer, Rory dhe Phoebe, të trashëgojnë më pak se 1% të pasurisë së tij, e cila vlerësohet rreth 101 miliardë dollarë.

 “Nuk është një dinasti”, tha Gates në një intervistë, duke shtuar: “Fëmijët e mi kanë marrë një edukim të shkëlqyer, por nuk është në interesin e tyre të trashëgojnë gjithçka”.

Kjo filozofi tregon përkushtimin e Gates për t’i lënë fëmijët të ndërtojnë vetë identitetin dhe suksesin e tyre, larg hijes së pasurisë së trashëguar.