Pas lajmit të rëndë për vdekjen e Jake Hall, kanë dalë detaje të reja mbi ngjarjen tragjike që ndodhi në Mallorca.

Sipas mediave britanike, 35-vjeçari u gjet pa shenja jete në një vilë me qira, me lëndime të rënda në kokë, ndërsa policia e gjeti të shtrirë në një pellg gjaku. Hetuesit dyshojnë se plagët fatale mund të jenë shkaktuar nga përplasja me një derë xhami dhe po e trajtojnë rastin si një aksident tragjik.

Pas lajmit, në vëmendje janë rikthyer edhe deklaratat emocionale që Hall kishte bërë vitin e kaluar, ku kishte folur hapur për periudhën më të vështirë të jetës së tij dhe për rolin që kishte vajza e tij River.

Sinqerisht, River është arsyeja pse jam sot këtu… gjithçka që bëj, e bëj për të dhe për të ardhmen e saj

-kishte thënë ai, duke treguar se kishte kaluar “pikën më të ulët” pas dështimit të markës së tij të modës “Prevu”.

Në atë kohë, Hall po përpiqej të rindërtonte biznesin me markën e re “By Jake Hall”, ndërsa shprehej optimist për të ardhmen dhe planifikonte të zgjerohej edhe në parfume dhe veshje për femra.

Ai kishte zbuluar gjithashtu se disa prej krijimeve të tij janë veshur nga emra të njohur si David Beckham, Edward Enninful dhe Erling Haaland.

Hall u bë i njohur për publikun në vitin 2015 përmes reality show-t “The Only Way Is Essex”, ku u komentua shpesh edhe marrëdhënia e tij me Chloe Lewis.

Ai lë pas vajzën River, të cilën e kishte me modelen shqiptare Misse Beqiri. Çifti u nda në vitin 2021.

Vetëm disa orë para vdekjes, Hall kishte publikuar në rrjete sociale një video ku shfaqej duke kërcyer, pikturuar dhe kaluar kohë në natyrë, me mesazhin se jeta mund të jetë e vështirë, por ai po përpiqej të fokusohej te gjërat e mira.

Pas tragjedisë, shumë miq dhe figura publike kanë reaguar me mesazhe ngushëllimi, mes tyre DJ Fat Tony dhe këngëtari Anthony Costa.