Këngëtarja dhe moderatorja e njohur, Rozana Radi, ka reaguar në lidhje me debatin publik që u bë në rrjetet sociale mes Zegjine Çaushit dhe Dea Mishel.
Përmes një postimi në “Instagram”, Rozana i drejtohet deputetes së Partisë Socialiste duke i thënë se ‘pozicioni që mbani kërkon më shumë maturi, përgjegjësi dhe më shumë shembull’.
“Vajzat e reja që ju ndjekin duhet të shohin tek ju një grua që përballet me kritikat me argumente, jo një figurë publike që përdor fotografi për të vënë në lojë një vajzë tjetër”, shkruan Radi.
Postimi i plotë i Rozana Radit në “Instagram”:
“E nderuar zonja Zegjine,
Po ju drejtohem jo për të mbrojtur një person të caktuar, por për të mbrojtur një parim që duhet të na përkasë të gjithëve: respektin për dinjitetin njerëzor.
Mund të mos bini dakord me Dea Mishelin. Mund të kundërshtoni mendimet, qëndrimet apo kritikat e saj. Kjo është e drejta juaj. Por kur debati zhvendohet nga argumenti te tallja me pamjen fizike, humbet kuptimin e çdo diskutimi publik.
Ju jeni deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Pozicioni që mbani kërkon më shumë maturi, më shumë përgjegjësi dhe më shumë shembull. Vajzat e reja që ju ndjekin duhet të shohin tej ju një grua që përballet me kritikat me argumente, jo një figurë publike që përdor fotografi për të vënë në lojë një vajzë tjetër.
Unë dua të jetoj në një Shqipëri ku gratë nuk i sulmojnë gratë për pamjen e tyre. Në një Shqipëri ku mendimi i lire nuk ndëshkohet me bullizëm. Në një Shqipëri ku deputetët frymëzojnë qytetari dhe kulturë debati, jo përçmim dhe fyerje.
Sepse dhëmbët, fytyra apo pamja e një vajze nuk janë argument politik. Ato nuk e bëjnë askënd më pak të vlefshëm dhe as më pak të denjë për t’u dëgjuar.
Një demokraci e shëndetshme matet nga mënyra se si trajtohen zërat kritikë, jo nga mënyra se si heshten apo poshtërohen ata.
Me respekt Rozana Radi”.



