Psikologia Ermela Shllaku ka qenë e ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën. Ajo ka folur në lidhje me problemet e adoleshentëve sot, shëndetin mendor dhe për prindërimin.

E pyetur se ‘cilat janë problemet më të mëdha që hasin adoleshentët sot në Shqipëri?’, Shllaku u shpreh:

“Tashmë mund të themi të gjithë njëzëri që rrjetet sociale janë ndikimi më i madh dhe problemi më i madh që adoleshentët po përballen. Në fakt, në rastet që po trajtoj së fundmi, po shoh që kemi varësi. Varësia ndaj rrjeteve sociale, në psikologji renditet njësoj si varësia ndaj drogërave, substancave, lëndëve narkotike.

Pra është një lloj varësie, për sa kohë individi nuk mundet të kontrollojë kohën që do kalosh aty dhe efektet që do shkaktohen. E thënë kjo, aq më tepër tek adoleshentët, që kemi të bëjmë me një fazë ku truri dhe faza kognitive dhe gjithë receptorët e trurit nuk janë të pjekur mjaftueshëm për shkak të moshës.

Sepse mosha është e vogël dhe nuk të lejon që truri të arrijë pjekurinë totale, e cila arrihet rreth moshës 20-21 vjeçare. Dhe si e tillë, kalojmë në fazën e varësisë ndaj rrjeteve sociale, kalojmë në fazën e keqpërdorimit të rrjeteve sociale. Se është shumë në rregull t’i përdorim rrjetet sociale për mirëqenien, për të marrë benefite. Por të gjithë kemi rrjete sociale dhe e dimë që algoritmi që na nxjerr është i frikshëm dhe na fut në atë vorbullën që ti e ke shumë të vështirë të dalësh”.