Vdekja e aktorit të famshëm, Matthew Perry, ishte një nga lajmet më të trishta për të gjithë adhuruesit e tij në mbarë botën. Ndërkohë që priten gjetjet përfundimtare nga mjekësia e Los Angelesit, për të përcaktuar shkakun që çoi në vdekjen e aktorit.

Por jo vetëm kaq, pasi tani sytë i drejtohen edhe çështjes së trashëgimisë. Aktori vetëm nga të drejtat e serialit “Friends” fiton rreth 20 milionë dollarë në vit. Kush do të jetë ai që do të ketë 20 milionë në llogarinë e tij çdo vit?

Më në detaje, ET amerikan foli me një avokat që merr përsipër raste të ngjashme me personazhe të famshëm të Hollywood-it, duke zbuluar skenarët e mundshëm për pasurinë e Perry.

Sipas Tre Lovell, “Fitimet nga honorarët vazhdojnë gjithsesi pas vdekjes së dikujt. Është si një detyrim që i paguhet aktorit dhe do të vazhdojë t’i paguhet trashëgimtarëve të tij”.

Në rastin e Matthew Perry, Lovell shpjegoi se do të ketë një përfaqësues të caktuar i cili do të përcaktojë se ku do të shkojnë të drejtat e aktorit në të ardhmen e parashikueshme.

Ai gjithashtu deklaroi se aktualisht nuk dihet nëse Matthew Perry kishte bërë një testament që autorizonte dikë të menaxhonte pasurinë e tij ose nëse ai kishte përcaktuar pasuritë e tij pas vdekjes. Nëse jo, prona e tij do të shkojë te të afërmit e tij.

“Duke pasur parasysh faktin se ai nuk kishte bashkëshorte apo fëmijë, pasuria do të ndahet në mënyrë të barabartë midis prindërve të tij”, tha Lovell, duke shtuar: “Ka më shumë gjasa që çdo prind biologjik të marrë gjysmën e pasurisë”.

“Një skenar tjetër i mundshëm është që Matthew Perry të kishte parashikuar që të paktën një pjesë e pasurisë së tij të shkonte në bamirësi kundër varësisë”, është shprehur më tej Lovell.

“Varësia ishte një pjesë e madhe e jetës së tij. Ai kishte shpenzuar miliona dollarë për të arritur rehabilitimin e tij dhe jam i sigurt se kjo kishte një efekt personal mbi të”, tha avokati që shtoi: “Unë mendoj se ka shumë të ngjarë që pasuria e tij të përfundojë në ndonjë strukturë rehabilitimi, sepse ai ishte shumë i përfshirë në to”.