Pesë persona janë arrestuar në Nju Jork gjatë një operacioni kundër drogës që lidhet me vdekjen e Leandro Anthony De Niro-Rodriguez, nipit të aktorit amerikan Robert De Niro. Të arrestuarit përballen me akuza të shumta që lidhen me trafikimin dhe shpërndarjen e drogës në qytet.
Leandro, djali i vetëm i Drena De Niros, vajzës së madhe të aktorit të famshëm, u gjet i vdekur në apartamentin e tij më 3 korrik 2023. Një autopsi përcaktoi se vdekja e të riut u shkaktua nga efektet toksike të një kombinimi substancash, duke përfshirë fentanilin, ketaminën dhe kokainën. Hetimi çoi në identifikimin e një rrjeti shpërndarësish që dyshohet se i siguruan djalit dozën fatale.
Së fundmi, De Niro ka bërë bujë me deklaratat e tij kundër Elon Musk dhe vendimin për t’u larguar nga Shtetet e Bashkuara. Ai kritikoi ashpër drejtimin e platformës X (ish-Twitter), duke e quajtur Musk “një idiot” dhe u bëri thirrje ndjekësve të tij ta bojkotojnë rrjetin social. Sipas burimeve, De Niro është i zhgënjyer me ndikimin e Musk në platformat sociale dhe rënien e cilësisë së diskutimeve publike. “Ai po shkatërron çdo vlerë që kishte platforma, duke e kthyer atë në një strehë për dezinformim dhe teori konspirative”-tha aktori.



