Janë zbardhur detaje të reja lidhur me vdekjen e këngëtarit të njohur Shemsi Krasniqi, vokalistit të grupit legjendar “Ilirët”. Artisti, i njohur për publikun si “Shemi”, ka ndërruar jetë në moshën 64-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në muzikën shqiptare.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, bëri të ditur se policia është njoftuar rreth orës 15:00 të ditës së djeshme, më 22 dhjetor, për një person pa shenja jete në një banesë në rrugën UÇK në Prishtinë. Sipas tij, njësitë policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku është konstatuar vdekja e Krasniqit.

Pllana theksoi se rasti po trajtohet në koordinim me Prokurorinë e Shtetit dhe se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e vdekjes.

Shemsi Krasniqi do të mbahet mend për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në muzikën shqiptare, veçanërisht si vokalist i grupit “Ilirët”, me të cilin krijoi dhjetëra këngë të paharrueshme. Hite si “Xhamadani vija vija” mbeten pjesë e pandashme e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Vdekja e tij ka shkaktuar tronditje dhe dhimbje të madhe te kolegët, fansat dhe mbarë komuniteti artistik.