Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik dhe rrjetet sociale, pasi influencerja e njohur Bianca Dias ka humbur jetën në moshën 27-vjeçare, vetëm pak ditë pas një operacioni estetik.

Sipas familjarëve, ajo ishte duke u rikuperuar normalisht në shtëpi pas ndërhyrjes, por gjendja e saj u përkeqësua papritur. 27-vjeçarja shfaqi probleme me frymëmarrjen dhe u transportua menjëherë në spital, ku u trajtua për disa ditë.

Fatkeqësisht, ajo ndërroi jetë 18 ditë pas operacionit. Dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një emboli pulmonare, një komplikacion i njohur që mund të shfaqet pas ndërhyrjeve kirurgjikale.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të vdekjes. Ende nuk është bërë e ditur lloji i saktë i operacionit që ajo kishte kryer.

Bianca Dias ishte një figurë e njohur në rrjetet sociale, me mijëra ndjekës, dhe një nënë e dy fëmijëve. Vdekja e saj ka lënë pas një dhimbje të madhe tek familjarët dhe komuniteti ku jetonte.

Ekspertët paralajmërojnë se ndërhyrjet estetike, veçanërisht ato të mëdha, mbartin rreziqe serioze dhe kërkojnë kujdes maksimal, si gjatë procedurës ashtu edhe në periudhën e rikuperimit.