Një ngjarje e pazakontë dhe tronditëse ka ndodhur në Brazil, ku një futbollist 20-vjeçar humbi jetën pasi u përplas me një lopë teksa udhëtonte me motorin e tij.
Mediat lokale shkruajnë se viktima është Antony Ylano, lojtar i skuadrës Piaui Esporte Clube U20, i cili po kthehej në shtëpi nga një festë ditëlindjeje në orët e para të mëngjesit.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin dramatik kur Ylano u hodh në tokë pas përplasjes fatale me një nga pesë lopët që po kalonin rrugën.
Ndërkohë hetimet kanë zbuluar se lopët i përkisnin hallës dhe xhaxhait të tij, të cilët tani rrezikojnë akuza për vrasje nga pakujdesia, pasi dyshohet se nuk kishin marrë masa për të parandaluar daljen e kafshëve në rrugë.
Shefi i policisë së qytetit Altos, Andre Moreno, deklaroi për mediat:
“Kafshët kishin dalë disa ditë më parë nga stalla. Duhej të ishte forcuar gardhi dhe të merreshin masa më efektive për të shmangur përsëritjen e rastit. Ishte e parashikueshme që pakujdesia e pronarëve mund të sillte një aksident tragjik.”
Autoritetet kanë konfirmuar se familjarët e futbollistit nuk do të mbahen në paraburgim, por çështja do të vazhdojë në gjykatë. Për shkak të lidhjes familjare me viktimën, ata mund të përfitojnë falje gjyqësore, por vendimi përfundimtar do t’i takojë prokurorisë dhe gjykatës.
Policia ka bërë gjithashtu të ditur se Ylano nuk mbante helmetë dhe nuk kishte leje drejtimi në momentin e përplasjes.
“Pronarët e kafshëve duhet të jenë më të kujdesshëm, ndërsa motoristët duhet të mbajnë helmetë dhe të kenë patentë për të shmangur tragjedi të tjera”, – shtoi Moreno.




